Shtohen skuadrat e interesuara për Neymar. Braziliani po përjeton ndër momentet më të vështira në karrierë dhe kjo e shtyn gjithnjë e më shumë drejt largimit nga Arabia Saudite. Pesha e madhe në buxhetin e Al Hilal e bën 32-vjeçarin të tepërt në skuadër, diçka për të cilën nuk mendojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përpos Inter Miami, në garë për të garantuar shërbimet e tij ka hyrë edhe Chicago Fire. Sipas mediave amerikane, klubi ka kontaktuar lojtarin dhe është duke studiuar mundësinë e një marrëveshjeje të ardhshme.

Chicago Fire synon afrimin e brazilianit vetëm nëse ai shkëput kontratën me Al Hilal dhe është gati ta bëjë lojtarin e dytë më të paguar në MLS pas Lionel Messit. Sulmuesi brazilian u transferua nga Paris Saint-Germain te Al-Hilal i Arabisë Saudite në verën e vitit 2023 për 90 milionë Euro, por nuk i ka përmbushur pritshmëritë në aspektin sportiv.

Neymar pësoi një dëmtim muskulor, rikuperim që zgjati rreth një vit. Për shkak të mungesës së seancave stërvitore, ai pësoi një tjetër dëmtim muskular. 32-vjeçari ka luajtur vetëm shtatë ndeshje, për të kontribuar me një gol dhe tre asistime. Statistika aspak komode, për të cilin Al Hilal po mendon largimin.

Për brazilianin ka zëra merkatoje edhe nga Santos, ndërsa nuk përjashtohet rikthimi te Barcelona, gjithnjë me pagë më të ulët. 

Klan News