Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christofer Dell, shfrytëzoi përurimin e një ujësjellësi në fshatin Dobradin të Lipjanit që banohet me serb t’i ftojë ata që të dalin në zgjedhje.
Christofer Dell: “Kushtet ekzistojnë për të dal në votime dhe zërat që vijnë nga Beogradi që i thërrasin njerëzit mos të dalin në zgjedhje në fakt janë zërat e të kaluarës, jo të së ardhmes. E vetmja gjë që mund të përmirësojë jetën është dalja në zgjedhje.”
Diplomatin amerikan nuk e pengoi moti i keq që ta dërgojë porosinë në vend. E kjo kohë nuk i pengoi as serbët lokal, ata shfrytëzuan këtë vizitë për të thënë atë që mendojnë për gjendjen në Kosovë.
E lideri i Partisë Liberale të serbëve në Kosovë shfrytëzoi këtë rast për t’i bërë thirrje bashkëkombëseve të tij, jo vetëm për të dal në zgjedhje, por edhe për të votuar atë.
Ai tha se ka punuar më shumë se liderët e tjerë të serbëve, në mënyrë që ky komunitet të dalë në votime.
“Ne liberalët me mbështetjen e institucioneve të Kosovës edhe me partnerët ndërkombëtar, ambasadën Amerikane, kemi bërë më shumë se të gjithë ata bashkë. Ata që duan të bëhen patriot më lehtë e kanë të kritikojnë se sa të merren me zgjidhjen e çështjeve.”
Këtu thirrja dhe ujësjellësi i përuruar i shërbeu këtyre banorëve për të thënë fjalët që duhej.
Banori 1: “Beogradi është në Beograd, kurse ne jemi këtu. Çdo njeri jeton aty ku jeton dhe duhet ti zgjedhë përfaqësuesit e vet. Ne do ti kemi përfaqësues këtu në Kosovë.”
Banori 2: “Sigurisht do të dalim në zgjedhje dhe do ta zgjedhim përfaqësuesin tonë.”
Ndërtimi i ujësjellësit kushtoi 94 mijë euro dhe u financua nga qeveria amerikane.
Ndërsa pritet të shihet nëse serbët e këtushëm do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare dhe do të dalin për të votuar me 15 Nëntor./tvklan.al