Ai do të shpërblehet për arritjet në fushën e kinematografisë
Talenti i jashtëzakonshëm i regjisorit të njohur britanik Christopher Nolan u shpërblye këtë vit me një çmim Oscar.
Megjithatë, duket se sukseset për regjisorin nuk ndalen vetëm aty. Mediat britanike shkruajnë se 53-vjeçari do të nderohet me titullin kalorës.
Nuk do të jetë vetëm Nolan ai i cili do të nderohet pasi kryeministri Rishi Sunak ka përpiluar një listë ku përfshihen politikanë të njohur, por dhe emra të tjerë që kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e teknologjisë. Lajmi erdhi si befasi, sepse ato shpërndahen zakonisht dy herë në vit, një herë për të shënuar vitin e ri dhe më pas në ditëlindjen e mbretit Charles III.
Megjithatë, ka përjashtime veçanërisht kur ka arritjeve të veçanta, shpesh të lidhura me botën e sportit dhe artit.
Titujt jepen gjatë një ceremoni në Pallatin Buckingham, shpesh nga monarku. Megjithatë, mbreti aktualisht nuk është duke marrë përsipër asnjë detyrë mbretërore, sepse po trajtohet për sëmundjen e kancerit.
Vlen të theksohet se Nolan ishte nominuar edhe në të kaluarën për Oscar përpara filmit Oppenheimer, por nuk kishte fituar kurrë një çmim deri në ceremoninë e këtij viti.
Klan News