Prej 1 Shkurtit nis aplikimi i çmimit të ri të energjisë elektrike në masën 10.5% më i ulët se sa ishte deri më tani. Tashmë, në faturën e tarifimit të muajit Shkurt që do të dalë në javën e parë të Marsit, të gjithë konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kilovat orë energji në muaj, do të paguajnë 8.5 Lekë për kilovat pa TVSH, nga 9.5 që ishte.
Ndërsa të gjithë abonentët që konsumojnë mbi 700 kilovat orë në muaj, në tarifimin e muajit Shkurt do ta paguajnë 9.5 Lekë për kilovat orë për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar. E thënë ndryshe, një familje që shpenzon 700 kilovat orë energji, me çmimin e mëparshëm paguante një shumë prej 6,650 Lekë të reja pa TVSH, ndërkohë me çmimin e ri do të paguajë 5,950 Lekë të reja, pra 700 Lekë më pak.
Çmimi i ri i energjisë elektrike për konsumatorët u miratua më 8 Janar të këtij viti nga Enti Rregullator i Energjisë dhe do të aplikohet deri në 31 Dhjetor të këtij viti. Me aplikimin e çmimit të ri të energjisë elektrike për abonentët familjarë janë rreth 1 milionë përfitues, ndërkohë për të gjithë konsumatorët e tjerë, siç janë bizneset apo furrat e bukës, çmimet e energjisë mbeten të pandryshuara.
Klan News