Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit vendosi të lërë në fuqi dënimin me 12 vite për ish-efektivin e policisë Arjan Tase. Ky i fundit u shpall fajtor pasi në 2 Gusht të vitit 2022 goditi për vdekje me skafin e tij 7-vjeçaren Jonada Avdia në plazhin e Potamit në Himarë.

Tase u shpall fajtor për veprën penale “vrasje me dashje” me 18 vite burg, por iu ul 1/3 e dënimit të dhënë për shkak të gjykimit të shkurtuar duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.

Këtë dënim ai e ankimoi duke kërkuar ndryshimin e kualifikimit të veprës penale duke e cilësuar vrasje nga pakujdesia dhe dënimin e tij me 5 vite burg.

Ish-efektivi i policisë akuzohet se duke shkelur kordonin e sigurisë është afruar në zonën e bregut, ku e mitura ishte duke u larë në ujë me babain e saj. Sipas dëshmitarëve, skafi ka bërë një kthesë të menjëhershme duke goditur 7-vjeçaren me helikat e tij.

Familja me origjinë nga Tropoja jetonte në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Për këtë ngjarje u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës. 8 prej tyre u akuzuan për shpërdorim detyre.

Klan News