Ekspertët tregojnë shenjat që bëjnë diferencën
Covid-19 nuk është grip. Mjekët thonë se ndryshe nga një vit më parë, që kishte raste sporadike gripi në stinën e verës, këtë vit shqetësimet janë për shkak të koronavirusit dhe pasojave të tij.
Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Nr.3, Bruna Shiroka shprehet: “Për të vlerësuar dhe për të diferencuar një situatë të tillë që dominon në sëmundshmërinë e kohës me viroza të tjera, nisemi thjesht nga situata e një viti më parë. Në stinën e verës nuk mund të themi që është gripi ai që kryeson sëmundshmërinë akute në pacientë. Nuk është klasik gripi për t’u shprehur, jo se nuk ka raste”.
Mjekja Bruna Shiroka zbulon edhe ndryshimet mes koronavirusit nga gripi dhe virozat e tjera.
“Së pari kemi parë një kombinim të problemeve të rrugëve të sipërme respiratore, si dhe të traktit gastrointensinal. Ka kollë, temperaturë, dhimbje fyti, por ka edhe diarre dhe të vjella. Dhe e dyta shtimi i dy simptomave që nuk e kishim vënë re rëndom në virozat ose në gripet sezonale të kaluara deri më sot, është mungesa e shijes dhe nuhatjes, e cila persiston në një farë periudhe”, shpjegon Shiroka.
Bluzat e bardha rekomandojnë që pacientët të kërkojnë ndihmë përmes telefonit nëse kanë një prej shenjave klinike të ngjashme me gripin, për të evituar infektimet në familje, rrethin shoqëror, apo edhe te bluzat e bardha.
Tv Klan