Kur na ndajnë pak ditë nga seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, e cila do të zhvillohet përgjatë dy ditëve, të enjten dhe të premten, mazhoranca dhe opozita duket që janë më afër se kurrë marrëveshjes për të mundësuar votën e diasporës për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Ndaj dhe reforma zgjedhore, e cila është në fazë diskutimi në nivel politik ishte në fokus të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Në takimin me dyer të mbyllura për mediat, Bledi Çuçi mësohet t’u ketë thënë deputetëve se nëse do të ketë dakordësi, propozimet do t’i paraqiten për votim seancës ditën e premte.
Të premten, mazhoranca dhe opozita në tryezën e dialogut sheshuan në parim kundërshtinë që mbante peng realizimin e kësaj reforme, atë për votën e diasporës.
Socialistët hoqën dorë nga kushti, duke i thënë po kërkesës së opozitës që të drejtën e votës nga jashtë ta ketë çdo shqiptar, rezident apo jo, me kusht që të ketë një adresë.
Në parim palët u dakordësuan edhe sa i përket përllogaritjes së mandateve, ku varianti që gëzon mbështetjen e shumicës dhe pakicës është ai sipas parashikimit kushtetues, ku një e treta e parë e listës të jetë e mbyllur, ndërsa kandidatët që renditen pas saj të luftojnë për votë preferenciale.
Ndërkohë, ekspertët e mazhorancës dhe opozitës në tryezën e dialogut janë duke adresuar dy çështjet që pritet t’i kalojnë për votim seancës plenare të së premtes, ndonëse demokratët e cilësojnë të paplotë reformën zgjedhore e cila sipas tyre duhet të rikthehet tek marrëveshja e 5 qershorit të vitit 2020, si dhe të përmbushë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.
Tv Klan