Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar Socialist e cilësoi një sinjal të mirë pjesëmarrjen e opozitës për t’u rikthyer në normalitet. Lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, Çuçi tha se kjo e drejtë kushtetuese nuk i është mohuar.

“Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore. Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar”, ka thënë Çuçi.

Më tej, ai çmoi rolin e opozitës në Parlament duke përmendur edhe ligje që duan shumicë të cilësuar.

“Ka një sërë ligjesh që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar siç është amnistia penale, por edhe ligje të tjera që lidhen edhe me rrugën e integrimit në BE e jo vetëm. Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale”, tha Çuçi./tvklan.al