Marvin Çuni ka gjetur rrugën e rrjetës me Frosinone-n në Serie B. Sulmuesi kuqezi, nuk shënonte në ndeshje zyrtare prej një kohe të gjatë, por u “takua” me golin në sfidën e kampionatit.

Çuni ishte autori i golit të vetëm për Frosinone-n, në humbjen 2-1 ndaj Spezia-s në transfertë. 23-vjeçari shqiptar, zhbllokoi sfidën në minutën e 38-të, por vendasit përmbysën gjithçka në fraksionin e dytë të lojës.

Rrugën e rrjetës, e gjeti edhe sulmuesi tjetër shqiptar, Giacomo Vrioni, në kampionatin amerikan të futbollit.

Futbollisti 25-vjeçar, ka hedhur pas krahëve dëmtimin që e la jashtë fushave për pesë javë dhe është rikthyer në fushë me gol.

Vrioni ishte autor i një goli, në fitoren që skuadra e tij, New England Revolution, mori në transfertë ndaj Montreal me rezultatin 0-5.

Ky është goli i nëntë gjatë vitit 2024 për Vrionin, me shqiptarin që duket në formë të jashtëzakonshme. /tvklan.al