Ministri i Jashtëm komenton kërkesat e Richard Grenell
Serbia është e gatshme ta vazhdojë dialogun
me Kosovën. Por kërkesa që pritet të vijë nga i dërguari i Presidentit
amerikan, Richard Grenell, që tarifat të jenë të barabarta me ndërprerjen e
lobimit kundër Kosovës, mund të realizohet vetëm nëse të gjithë ndalojnë
lobimet dhe i kthehen dialogut. Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, ka
theksuar se tarifa e Kosovës është një akt jo civilizues dhe nuk do të duhej të
ketë lidhje me veprimet e Serbisë.
“Kjo nënkupton një moratorium
nga të gjitha palët dhe jo që Serbia të ndalojë të mbrojë interesat e saj,
kurse njëkohësisht Shqipëria punon në njohjen e Kosovës, në konferencën
islamike është bërë deklaratë për njohjen e Kosovës, fuqitë e madha në çdo
mbledhje të Këshillit të Sigurimit ftojnë të njihet Kosova, kurse qenka problem
që Serbia e vogël mbron interesat e saj, kjo nuk është qasje korrekte”.
Grenell takimin në kryeqytetin serb do ta fillojë që në mëngjes, kur bashkë me Presidentin Alleksandar Vuçiç, do të flasin për dialogun Kosovë-Serbi. Në Beograd kanë patur besim tek të dërguarit amerikanë. Analisti Stefan Surlliç thotë se rëndësinë që ia ka dhënë vetë Presidenti Donald Trump, marrëveshjes për linjën ajrore, tregon fillimin e një dinamike të re politikë në këto marrëdhënie.
“Kjo tregon se Grenell është në kontakt direkt me Shtëpinë e Bardhë. Është i qartë qëllimi për të arritur një sukses dhe Kosova dhe Serbia mund të presin një presion të hapur që të kthehen në bisedime, por edhe të gjejnë një zgjidhje”. Grenell është parë në Serbi si diplomat i prerë, por edhe i besueshëm, sidomos pasi serbët besojnë se administrata e Trump, nëse nuk do të jetë në anën e tyre, të paktën do t’i dëgjojë me vëmendje të dyja palët.
Tv Klan