Beqiri e Hyseni janë nip e dajë që jeta i ka sprovuar në mënyra nga më të ndryshmet. Të dy ish të burgosur politikë, historitë respektive të të cilëve Beqiri i ndau me rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Hyseni u burgos në Spaç gjatë kohës që Beqiri bënte ushtrinë e pak kohë më vonë, ky i fundit tentoi të arratisej dhe përfundoi në burgun e Qafës së Barit.

Nga atje, tentativa e dytë e dërgoi në burgun e Burrelit ndërsa pas rënies së regjimit përmbushi ëndrrën për të prekur Amerikën, sërish duke u arratisur. Prej 33 vjetësh, ai ka ndërtuar jetën atje por vijon të ruajë një lidhje të ngushtë me Hysenin. Historia e përbashkët ka shënuar jetën e tyre, por pa i mposhtur ndaj nipi ka ardhur të surprizojë dajën.

Beqir: Dajë, do të më falësh se të kam dhënë vështirësi në disa raste në jetën tënde. Mesazhi im për ty nuk mund të shprehet me ato fjalë që unë di nga sa kam pasur mundësi të mësoj nëpërmjet ndihemsës tënde. Nëse unë do të kisha mundësi më të mëdha, atë shprehje do ta bëja edhe më të bukur, më të mirë sot për të shprehur dashurinë, respektin, për të vlerësuar sakrificat e tua, për të vlerësuar jetën tënde, por do ta shpreh thjesht, me këto fjalë që unë di të cilat ti i ke ndier vazhdimisht nga mua. Ne kemi qenë gjithmonë bashkë, edhe kur ti ishe në burg, unë nuk t’u ndava asnjë ditë, edhe kur unë isha në burg ne  ishim të dy në të njëjtin ferr, në të njëtën skëterrë por Zoti e pruri që si ti dhe unë të dalim dhe të jemi gjallë sot dhe të kemi mundësi të shijojmë dashurinë e njëri-tjetrit./tvklan.al