“Reforma Zgjedhore i kalon Kuvendit nëse dështon komisioni”

Edi Rama është kujdesur që të mos ketë keqkuptime dhe të sqaroi pozicionin e socialistëve lidhur me rikthimin e normalitetit parlamentar pas uljes së demokratëve në tryezën e Konferencës së Kryetarëve të martën.

Shqetësimi më i dukshëm i Kryeministrit është t’ju kthejë përgjigje atyre që e shohin si ndryshim të qasjes së tij lidhur me bashkëpunimin me Sali Berishën.

“Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me Non Gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize”.

Pranimin në parim të 2 komisioneve hetimore, Rama kërkon të shihet si normë parlamentare të pakundërshtueshme sa kohë që pala tjetër bën kërkesa brenda shinave kushtetuese, e drejtë e pamundur për t’u kundërshtar sipas tij nga ana e socialistëve.

“Nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro! Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek “pazarin me Non Gratën”, i cili thjesht nuk ekziston”?

Edhe qëndrimi për Reformën Zgjedhore, Rama thotë se nuk është risi, pasi ai e ka shprehur prej muajsh mendimin se komisionet bipartizante për amendimet në Kodin Elektoral janë një etapë e mbyllur.

“E  kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim. Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn Non Grata në këtë mes”?!

Mes reshtave e përshëndet rikthimin e opozitës në normalitet, por dhe këtë e komenton si një qëndrim që ai dhe Partia Socialiste e kishin paralajmëruar se kështu do ndodhte.

“Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh”.


Tv Klan