Sot për të ditur më shumë rreth një teme apo ngjarjeje, mjafton vetëm një klikim i thjeshtë. Nga aty hapen një mori faqesh, publikimesh dhe prirja është gjithnjë për të shkuar drejt asaj që na tërheq më shumë. Një titull më interesant mund të jetë karremi i duhur për të rënë në kurthin e lajmeve të rreme (fake news).
Me rrjetet sociale, e kemi gjithnjë e më të vështirë të filtrojmë informacionin e aq më pak ta verifikojmë si lexues. Hyrja e Inteligjencës Artificiale e ka bërë të thjeshtë për gazetarët që të shkruajnë artikujt e tyre përmes saj pa bërë një punë të mirëfilltë apo të shkruajnë një titull përmes ChatGPT.
Por gazetarja Deada Hyka shprehet se mund ta dallojë veprën e ChatGPT. Sipas shpjegimit të saj në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ka disa karakteristika të një titulli që shkruhet nga ChatGPT. Gjithsesi, gazetarja shton se nuk duhet parë si armik pasi i përdorur në funksion të lehtësimit të disa detyrave, mund të jetë shumë i dobishëm.
Deada Hyka: Ndoshta shumë e zonja jo, mos t’i japim vetes ca atribute që nuk i kemi, por te titulli arrij që ta dalloj sepse ka një normativë krijimi titulli që sado të mundohet Inteligjenca Artificiale, nuk është ajo prekja ose ai gjykimi njerëzor. Ka një format të ngjashëm ose një fjali të ndarë në dy pjesë nënrenditëse, mundësisht të ndarë me dy pika ndërmjet dy pjesëve nënrenditëse. Çdo fjalë nis me gërmë të madhe, të kapitalizuar kështu që nëse e shihni një titull të tillë, është padyshim ChatGPT.
Le të mos bëjmë një luftë me mullinjtë e erës do të thoja, mos ta shpallim ChatGPT armikun sepse ka shumë elementë të këtij transformimi teknologjik që naka përfshirë të gjithëve, që janë në të mirë të jetës së gazetarit do të thoja unë. Së paku, për një pjesë të gazetarëve të shtypit të shkruar. Me këtë doja të thoja për shembull, në rast se mua një intervistë të cilën nuk e marr fizikisht por e marr nëpërmjet email-it, më vjen i paredaktuar sepse jo çdo burim me të cilin ne flasim janë njerëz shumë të aftë nga ana drejtshkrimore etj, patjetër që ChatGPT mund të jetë një mjet shumë i mirë në funksionin tim si gazetare për të më kursyer kohë sepse mua do të më duhej që një itnervistë prej së paku dy faqesh ta rregulloj, ndërkohë që unë këtë energji e hedh për të bërë diçka tjetër. Ka edhe instrumente të tjerë të Inteligjencës Artificiale të ndërlidhur me ChatGPT që të ndihmojnë me një transkriptim./tvklan.al