Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka vlerësuar 10 kampionët globalë kundër korrupsionit.

Mes të përzgjedhurve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Vlerësimet për Dumanin u shprehën edhe nga Sekretari Antony Blinken.

“Kryeprokurori i Posaçëm shqiptar, Altin Dumani drejton një agjenci të re kombëtare, të mandatuar nga reforma në drejtësi në vitin 2016 që ndjek zyrtarë të lartë dhe drejtues të krimit të organizuar. Sot është institucioni publik më i besuar në Shqipëri”, u shpreh sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ndërkohë Dumani u vlerësua për integritetin, profesionalizimin dhe kurajon në drejtimin e SPAK.

“Ne vlerësojmë Altin Dumanin si kampion kundër korrupsionit për udhëheqjen si kryetar i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me integritet, profesionalizëm dhe kurajo në Shqipëri”, ishin fjalët që iu drejtuan Dumanit në momentin e dhënies së çmimit.

Altin Dumani u zgjodh kreu i SPAK më 16 Dhjetor të vitit 2022. Mandati i tij në krye të Prokurorisë së Posaçme është 3 vjeçar dhe përfundon vitin e ardhshëm.

Megjithatë ai do të vijojë të ushtrojë detyrën si Prokuror i Posaçëm. Ai u zgjodh për të qenë anëtar i SPAK me vlerësim maksimal nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kujtojmë se në vitin 2021 certifikatën si kampion kundër korrupsionit nga DASH e ka marrë edhe Ardian Dvorani. Ai u vlerësua për punën e tij në zhvillimin e mekanizmave për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë (Lexo më shumë)./tvklan.al