Projektligji për gjykatën administrative i hartuar nga Ministria e Drejtësisë ka ngjallur debate në komisionin e ligjeve, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Diskutimet janë ndezur kur numri 2 i KLD-së, Kreshnik Spahiu, mbajti në pak kohë dy qëndrime të ndryshme mbi njohjen e institucionet që ai përfaqëson me këtë draft.

Kreshnik Spahiu: “Ne jemi njohur me projektligjin përfundimtar vetëm nga website falë teknologjisë së lartë të internetit. Ka qenë një mungesë serioziteti e theksuar nga dërguesi i kësaj shkrese.”

Kreshnik Spahiu: “Tani ajo shkresë ka ardhur e shoqëruar me, ka ardhur e shoqëruar me versionin jozyrtar të projektligjit dhe në një mungesë serioziteti të plotë është detyruar këshilli ka diskutuar jo mbi projektin final, por mbi një projekt fillestar në prezencën e ekspertëve ndërkombëtarë mbasi ju e kishit kaluar në qeveri.”

Por ndryshe nga ç’pretendon nënkryetari i KLD-së, një shkresë e firmosur pikërisht prej tij në korrespondencën mes këtij institucioni dhe Ministrisë së Drejtësisë e siguruar nga TV Klan, fakton të kundërtën.

Në shkresën e tij zoti Spahiu pranon të ketë marrë në dorëzim projektligjin dhe në përgjigjen drejtuar ministrisë ai ngre shqetësim vetëm për kohën që i është vënë në dispozicion.

Ky fakt u konfirmua dhe nga drejtoresha e kodifikimit pranë kësaj ministrie gjatë debatit.

Marsida Xhaferllari: “Në materialet e depozituara në komisionin e ligjeve ju është depozituar lista me subjektet e interesuar që është dërguar projektligji për gjykatat administrative, në të cilat ka qenë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka qenë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. I është dërguar për mendim, ka qenë ditë e mërkurë kur është dërguar për mendim. Numri i protokollit të shkresës është 6808 dhe i është caktuar një afat i shpejtë për të dhënë mendim. Përgjigja e ardhur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka qenë me përmbajtjen pak a shumë që nuk mund t’i japim përgjigje, nuk mund të japim mendimin tonë brenda këtij afati sepse jemi me shërbim jashtë shtetit.”

Një tjetër çështje debati u bë formulimi i projektligjit në pikën ku përcaktohen kriteret e emërimit të gjyqtarëve.

Spahiu kërkoi që këto kritere t’i lihen në dorë KLD-së, ndonëse në draft thuhet qartë se për këtë çështje do të ndiqen kriteret e përgjithshme si për çdo gjyqtar tjetër të përcaktuara në ligjin për administrimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor./tvklan.al