Vrasja e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” ka qenë pjesë e debateve në parlament. Deputetja demokrate Ina Zhupa kërkoi 1 minutë heshtje, por socialistët nuk u ngritën në këmbë.
“Ishte dhe më e rëndë sesa mund ta imagjinoni se ishte një ngjarje e paralajmëruar. Ishte më e rëndë sesa mund ta imagjinoni sepse ishte një ngjarje në oborrin e shkollës, ku ishin njoftuar mësues, drejtorë, oficerë sigurie. Kishte që të premten që ndodhte. Më vjen shumë keq! Uroj që zonja Manastirliu, që s’ka ardhur, të ketë shkruar dorëheqjen. Më vjen shumë keq që ne duhet të kthejmë kokën nga arsimi dhe duhet të kthejmë kokën nga edukimi i fëmijëve tanë vetëm kur ndodh një rast i tillë, sepse kur ne e kemi ngritur zërin për oficerët në shkolla, për psikologët në shkolla, është zgërdhirë zonja Manastirliu në komision”, tha Zhupa.
Me Zhupën replikoi edhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
“Ju lutem nuk bëhet politikë me vdekjen dhe të marrim shkak nga kjo ngjarje për të ashpësursuar të gjitha dënimet penale që lidhjen me një qasje të re garantimi të sigurisë në shkolla,” tha Balla.
Demokrati Sula i bëri thirrje mazhorancës të mos derdhë lot krokodili për ngjarjen e rëndë.
“Se nëse kërkon nga një dorëheqje çdo herë që ndodh diçka i bie që ti të bëhesh kriminel, që ti mbarosh të gjithë dhe të bëhesh ti pastaj, se me ty do pushojnë të gjitha se kjo është përralla që i tregoni shqiptarëve natë e ditë”, tha Sula.
Klan News