Në seancën plenare të pasdites, ku opozita nuk ishte e pranishme, deputetët e mazhorancës kanë akuzuar kryebashkiakun Rama për projektin e rikonstruksionit të sheshit Skënderbej, por edhe për kërcënimet e tij për mosbindjet civile.
Flamur Noka: “Ajo që ndodhi dje paradite në qendër të Tiranës, por jo vetëm atë ditë, ishte shenjë e qartë e përçmimit dhe e urrejtjes që kryetari aktual i bunkerit të Tiranës ka për qytetarët e vet, zoti Rama na dha dje dhe një provë tjetër publike, se nuk ka për qëllim për të rregulluar qendrën e Tiranës, po për t’i dhënë jetë interesave të klientëve të klanit të tij, që do përfitojnë nga llokmat e kullave që do të ngrihen mbi këtë plan. Të tilla eksperimente cinizmi apo përçmimi ndaj qytetarëve të tij mund t’i bëjë vetëm një mendje e sëmurë, siç është ajo e Zotit Rama. I dha të drejtë vetes të trajtojë qytetarët si kavje eksperimentale.”
Mesila Doda: “E kemi dëgjuar së fundmi dhe na përmend doktrinën e mosbindjes civile, pra, personi i cili ka marrë përsipër të kryejë aktin e mosbindjes civile pret edhe sanksionet në masën në të cilën ka thyer ligjet dhe rregullat e shtetit ku ai jeton. Meqenëse kryetari socialist, ky intelektual i kacagjeluam, siç thotë Padre Anton Harapi, për këtë sërë njerëzish, po kërkon të sjellë mesazhin e tij pykë në jetën e vendit. Unë sot do i kthehem po me një mesazh që nuk ia jap vetëm atij, por gjithë atyre që ai thërret, populli opozitar. Është një faqe nga vepra po e padre Antonit dhe kryetari socialist, me afeksionin e djathtë e të majtë që ka për atë periudhë, ndoshta do mund ta kuptojë më mirë. Çfarë detyre kemi ne sot kundrejt njëri-tjetrit dhe atdheut? Të vëmë gurin e themelit të kulturës kombëtare, të bëjmë bashkimin me të vërtetë vëllazëror të shqiptarëve.”
Pas diskutimeve të lira, parlamenti kaloi me 71 vota pro projektligjin për taksën mbi të drejtën e truallit shtetëror.
Në bazë të ndryshimeve të bëra nga komisioni i ekonomisë ky ligj parashikon që 13 mijë subjekte individë, të cilët kanë ndërtuar mbi pronë shtetërore dhe kanë nxjerrë pronësinë e ndërtesës, por që nuk paguajnë qera, duhet të privatizojnë tokën.
Në rast të kundërt, ndaj tyre, shteti do të vendosë një taksë 10% të vlerës së tokës, të cilën do duhet ta paguajnë çdo vit.
Gjithashtu, ligji parashikon që 25% e fondeve që do të mblidhen nga kjo taksë do t’i kalojë pushtetit lokal, ndërsa pjesa tjetër pushtetit qendror. Një pjesë e vjeljes së kësaj takse, do të kalojë në fondin e ish pronarëve.
Gjatë seancës plenare u votua edhe ratifikimi i marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe BERZH-it për financimin e projektit të rrugëve rajonale rurale.
Vlera e këtij fondi deri më tani për Ministrinë e Financave arrin në 210 milionë euro dhe pritet që ajo të shkojë në 400 milionë euro.
Në seancën plenare të pasdites u miratuan dhe dy projektrezoluta, ajo për vlerësimin e punës së KLSH-së dhe Avokatit të Popullit, si dhe disa ndryshime në ligjin për Akademinë e Shkencave./tvklan.al