Opozita e ka vijuar turin me diasporën e ndarë në disa shtete njëherësh. Në Athinë këtë fundjavë ishin Kreu i Grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka.

Gjatë takimit me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, Bardhi tha se Shqipëria sot është më pozitive në sytë e botës, pikërisht për shkak të tyre dhe jo të politikanëve, ndërsa kërkoi mbështetjen për PD-në në këto zgjedhje.

“Unë e di që ju as nuk trembeni dhe as nuk shantazhoheni, ju e keni kërkuar lirinë dhe po jetoni në liri. Prandaj kam bindjen se ju do të angazhoheni fuqimisht në këtë proces shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, do te jeni një kontribut i admirueshëm për ndryshimin e Shqipërisë.”

Partia Demokratike ka shpallur publikisht një plan emergjent që i jep përgjigje situatës të vështirë ku ndodhet vendi. Ky plan përcakton minimumin jetik, përcakton rritjen e pagave dhe pensioneve, përcakton ndërhyrje emergjente në shërbimin shëndetësor i cili po i privohet atyre që s’kanë mundësi të paguajnë ryshfetin.


Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka detajoi pikat e programit që PD ofron për të gjithë qytetarët dhe emigrantët në veçanti, duke përmendur këtu veçanërisht raportet me Greqinë.

“Edhe për ju emigrantë, Partia Demokratike ka një program të qartë. Kushdo që do të kthehet në atdhe, dhe të investojë për 5 vite do të ketë zero taksa. Kushdo që do të kthehet në Shqipëri, do t’i mundësohet një kredi e butë për zero interes që çdokush që kthehet të ketë mundësi të blejë një shtëpi, si çdo shqiptar atje. Do të kemi një paketë të plotë për emigrantët tanë.”

Noka e njeh si meritë të Partisë Demokratike faktin që në këto zgjedhje diaspora do të votojë për herë të parë.  PD ka mbajtur një takim madhështor në Cremona, në një qytezë të Lombardisë në Itali, ku i pranishëm ishte nënkryetari Agron Gjekmarkaj.

Tv Klan