Ilir Meta: “Vendosja e shtetit dje në dispozicion të një personazhi me një background krejtësisht të dyshimtë dhe kriminal, i akuzuar për pastrim parash dhe për trafiqe si Fazlliç tregon më së qarti kapjen e thellë të kryeministrit Berisha dhe të qeverisë së tij prej qarqeve mafioze dhe trafikante nga më të dyshimtat dhe më të errëtat e rajonit të Ballkanit.”

Edi Paloka: “Edhe dje e njëjta histori. Iku se do e kapte prokuroria. Zotëri, mora vesh që paska shkuar, se paska marrë pjesë në një panel, në një aktivitet ndërkombëtar ku ka qenë në krah edhe të kryeministrit të Bosnjës edhe të kryeministrit të Kroacisë. Ky super krimineli që e kërkojnë në Bosnje, e kërkon kjo, e kërkon ajo. A e kuptoni që po bëheni qesharakë? Nuk mund të krijoni skandale dhe motive për të bërë opozitë me forma të tilla. Ma gjeni ku është shkelur ligji, çfarë abuzimesh i ka toleruar këtij Berisha? Ku e ka shkelur ligjin ky zotëri dhe hajde ta sulmojmë të gjithë bashkë.”

Pandeli Majko: “Dje ka qenë një ditë e keqe për Shqipërinë dhe shqiptarët sepse një horr horrit ka ardhur nga aeroporti, ka dhënë një intervistë dhe është larguar dhe Ministri i Brendshëm duhej të na thoshte pse, çfarë ka ndodhur, kush e ka shoqëruar, si ka ardhur dhe ka qëndruar ky apo jo nën mbrojtjen e Ministrisë së Brendshme. Këtu tha që ky njeri me emrin Fazlliç qenka njeri i respektuar, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare. Po mirë, dakord, po publikut si t’i themi? Çfarë t’i themi për këto prangat që tregohen në këtë fotografi? T’i themi që është dosja e punës? Po për këtë policin këtu me maskë të zezë çfarë t’i themi? Që është kryeministri i Serbisë? Po për këtë policin tjetër ça t’i themi? Është në tavolinën e bisedimeve me kryeministrin boshnjak? Ja ky është. Dje ky njeri na solli hijen e Dushan Mugoshës në politikën shqiptare.”

Bujar Nishani: “Asnjë forcë policore nuk është vënë në dispozicion të shtetasit Damir Fazlliç gjatë vizitës së tij në Shqipëri ditën e djeshme, së pari sepse nuk ka pasur asnjë kërkesë për ta eskortuar atë nga asnjë institucion përkatës. Nuk ka pasur asnjë informacion apo indicie që jeta e tij të rrezikohej dhe më pas policia ta merrte në mbrojtje apo nën shoqërim, por spekulimet që bëhen për shkak të punës rutinë të punonjësve të policisë së terminalit të aeroportit “Nënë Tereza”, të cilët gjatë 24 orëve të punës së tyre janë të detyruar të zbatojnë për shkak të ligjit kontrollin dhe ndihmën e kërkuar nga të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj për kalimin e pikës kufitare qofshin ato në hyrje, qofshin ato në dalje”.

Mimi Kodheli: “Dje policia e shtetit punoi kundër shtetit duke i hapur rrugën deri tek avioni një personi që minimalisht nuk ka asnjë lloj statusi të veçantë dhe maksimalisht duhet të përgjigjet jo në një show televiziv, por në prokurori për faktet e bëra publike nga shtypi lidhur me pastrimin e parave. Dje policia e Berishës sfidoi shtetin e së drejtës duke mos lejuar që këtij personi të dyshuar t’i afrohen as edhe prokurorët për ta marrë në pyetje përpara nisjes. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm nga detyra të kujtdo autoriteti policor që mundësoi trajtimin special jashtë ligjit të këtij miku të dyshimtë të kryeministrit dhe pengoi prokurorinë të bënte detyrën e saj ligjore.”/tvklan.al