Xhaferi kërkon regjistrim në baza etnike
Lidhja Socialdemokrate në Maqedoninë e Veriut shprehet kategorike se regjistrimi i popullsisë patjetër të zhvillohet në Prill të vitit të ardhshëm, duke u zotuar se do të jetë sipas të gjitha standardeve evropiane.
“Regjistrimi nuk guxon të varet nga vullneti i partive dhe liderve partiake. Ky është një koncept i gabuar i VMRO-DPMNE-së. Që regjistrimi të jetë operacion politik u konfirmua si i gabuar në vitin 2011 dhe për këtë shkak dështoi”,thotë deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska.
VMRO-DPMNE-ja opozitare insiston që regjistrimi të zbatohet me shenja të gishtërinjve, që sipas tyre do të japë një pasqyrë reale për numrin e popullsisë.
“Vetëm me terminalet për shenja të gishtërinjve do të regjistrohet popullsia rezidente. Aparatet për shenja të gishtërinjve duhet të merren për shkak se kemi edhe zgjedhjet lokale. Zaevi ta marrë seriozisht këtë operacion dhe t`i tejkalojmë përplasjet brendapartiake në dobi të vendit”,shprehet deputeti Nikola Micevski.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti thotë se nuk do të ketë keqpërdorim të regjistrimit për të minimizuar apo rritur përqindjen e ndonjë komuniteti.
“Gjithmonë është manipuluar me shifra sikurse me shtetësinë ashtu edhe me numrin e banorëve. Këto janë tema rruge. Ne jemi të gatshëm që regjistrimi të bëhet edhe me përkatësinë etnike apo atë të shtetësisë, jemi të hapur për këtë çështje. Shqiptarët në këto hapësira janë autoktonë dhe nuk ka kthim pas”, thotë Ahmeti.
Gjatë fundjavës në Kuvend, nga qeveria ishte dorëzuar propozim-ligji i ri për regjistrimin e popullsisë, që është me flamur evropian, të cilin parlamenti mori detyrë që ta miratojë me procedurë të shkurtuar.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi njoftoi se ligji për regjistrimin e popullsisë do të vendoset në rend dite në seancën parlamentare gjatë Janarit.
Brukseli në raportin e fundit të Komisionit Evropian ishte i qartë se regjistrimi patjetër të mbahet gjatë vitit 2021.
Kujtojmë se regjistrimi i fundit në RMV është mbajtur në vitin 2002.
Tv Klan