Pronarët e truallit pranë klubit sportive Partizani kanë reaguar pas deklaratave të një dite më parë të Lëvizjes Socialiste për Integrim se kthimi i këtij trualli është kthyer jashtë ligjit në fuqi.

“Sqaroj opinionin publik se ne kemi hyrë në një procedurë ligjore në Bashkinë e Tiranës për të zhvilluar pronën tonë pasi ajo na është kthyer në vitin 1996 dhe ka ndërruar destinacion nga zonë sportive në zonë banimi në vitin 200, pra jemi brenda të gjithë ligjeve të republikës së Shqipërisë dhe nuk kemi asnjë përfitim direkt ose indirekt nga asnjë lloj lidhje politike. Avokatët tanë po përgatisin padinë gjyqësore për shpifje dhe shantazh me qëllime të dyshimta nga partia LSI në dëm të 64 pronarëve të ligjshëm të këtij trualli.”

Nga ana tjetër LSI-ja i ka qëndruar besnike deklaratave të një dite më parë duke akuzuar sërish kryeministrin Sali Berisha dhe kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama, për bashkëpunim në dëm të hapësirave publike.

Luan Rama: “Një urdhër i ministrit Ruli para miratimit të ndryshimeve në ligjin për sportet dëshmon interesin e Berishës për mjediset e klubit Partizani, çka përbën vetëm një rast të bashkëpunimit në kundërshtim me ligjin dhe në konflikt të hapur interesash, i cili fatkeqësisht nuk është i vetmi, por që do të vijojë në proces edhe në mjediset e kompleksit Dinamo e të tjera të tilla për të cilat kanë nisur procedurat ende pa hyrë ligji në fuqi çka dëshmon për kapjen totale të shtetit prej korrupsionit konsensual”.

Luan Rama pranoi se LSI-ja nuk ka si qëllim të pengojë kthimin e pronës te i zoti, por frenimin e mënyrave korruptive, të cilat shkatërrojnë sportin në Shqipëri./tvklan.al