Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë replikuar në distancë me mesazhe që përcolli kryebashkiaku Rama rreth indiferencës së shqiptarëve për punët e rëndomta, që u ofron bashkia apo institucionet shtetërore. Kreshnik Spahiu i Zyrës së Mbrojtjes së Qytetarëve, solli një tjetër shembull të shqiptarëve të cilëve u pëlqejnë pijet alkolike.

Këtë radhë personazhet ishin emigrantë në Çikago, të cilët kishin tre punë, makina luksoze bënin para për familjet dhe në mbrëmje pinin pije alkolike. Spahiu theksoi se një pushtetar nuk mund të ndërrojë popullin e tij, por duhet të ndryshojë sistemin e qeverisjes, si dhe të komunikimit, përballë zgjedhësve.

Ashtu si dhe ekspertët amerikanë të ftuar në këtë debat, ai përmendi ngritjen e agjencive të punësimit, të cilat do të administronin krahun e lirë të punës. Me tone kritikë, kryebashkiaku i Elbasanit Turku, nënvizoi faktin, se bizneset po largohen nga rrethet drejt kryeqytetit. Sipas ti, pushtetit lokal duhet t’i jepen kompetenca që të krijojë lehtësi fiskale për biznesin.

Në debatin e organizuar me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, kanë mbrojtur argumentet e tyre dhe biznesmenët Luan Bregasi dhe Edmond Leka. Bregasi vlerësoi iniciativën e dy viteve më parë të ish-kryeministrit Ilir Meta, për krijimin e këshillit konsultativ të biznesit me qeverinë. Nga ana tjetër leka ftoi organet e pushtetit të aktivizojnë biznesmenët në aktivizimin e shërbimeve publike, si rrjeti i ujësjellës-kanalizimeve, riparimin e shkollave, punë që do të sillnin përfitime financiare për palët, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame