Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Të rrimë apo të ikim nga koalicioni? Kjo është dilema e madhe e Partisë Aleanca Demokratike. Të mbledhur në një nga sallat e hotel Dajtit, aleancistët kanë diskutuar për çarjen më të madhe të shfaqur kohët e fundit mes tyre, e cila ka të bëjë me idenë e hedhur nga një grup brenda partisë, për largimin nga koalicioni Aleanca për Shtetin në zgjedhjet e Qershorit.
Kjo ide mbështetet nga presidenti i PAD Neritan Ceka. Ndërsa pjesa tjetër e kryesuar nga kryetari ekzekutiv Arben Imami, mbështesin qëndrimin në këtë koalicion dhe për këto zgjedhje parlamentare.
Arben Imami, Kryetar i PAD:- “Ideja ime për këtë parti, që kur e kam krijuar në 92, ka qenë një parti e cila mbështet tek konsensusi, mirëkuptimi dhe tek kompromiset. Kjo ishte arsyeja që të fusë në kryesinë e re, njerëz të cilët deri një ditë përpara nuk kishin arritur të mirëkuptoheshin. Për fat të keq të ndodhur nën presionin e shtypit, të ndodhur nën presionin e rrethanave, për vite me radhë partia ka rënë pre e një loje të shtypit, duke iu nënshtruar një debati shterp, se me kë do të shkojmë me këtë apo atë, duke e detyruar partinë të futet midis dy partive të mëdha. Ideja ime ka qenë dhe vazhdon të jetë së PAD ka personalitetin e saj. Këtu është vendi për t’i bërë një thirrje zotit Ceka, që të mos veprojë në kundërshtim me statutin e partisë, i cili kërkon, që si kreu i partisë të jetë njeriu që unifikon partinë dhe jo që e çanë partinë”./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori