Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kur debatet për marrje ryshfetesh për fitimin e një të drejtë studimi, në konkurset e zhvilluara këtë vit në universitetet shqiptare janë ende të hapura, në numrin e djeshëm të gazetës “Shekulli” është publikuar një lajm i tillë. Ermal Memushi, djali i ministrit të arsimit, renditet në listën e fituesve në Fakultetin e Mjekësisë, me një mesatare 6.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, profesor Kristo Pano ka mohuar në mënyrë kategorike gjatë një interviste të dhënë për TV Klan,  se djali i ministrit Memushi ka fituar nga posti i babait të tij.

Prof.Kristo Pano:- “Djali i ministrit të arsimit, ka të drejtën të konkurrojë si djali i kujtdo qoftë dhe përderisa është lënë e drejta e konkurrimit duke filluar që nga nota 5 që është nota kalimtare deri në notën 10, kuptohet se gjithkush ka të drejtë të konkurrojë atje ku mendon se mund të japë më shumë, ose ku ka dëshirë. Unë mendoj, që në qoftë se një djalë, një person, një nxënës, kandidat për student, gjatë 4 viteve të gjimnazit nuk ka punuar sa duhet, apo për neglizhencën e tij, kuptohet që gjithkush mendon që të kompensojë mangësinë që ka në mesatare. Askush nuk ka të drejtë të mendojë të kundërtën e kësaj. Është djali i ministrit, apo është djali i një punëtori nuk ka rëndësi, kështu që politika nuk duhet të futet në këtë mes”.

Ndërkohë, ka reaguar sot dhe Rektori i Universitetit të Tiranës për ankesat e shumta të regjistruara për mënyrën e zhvillimit të konkurseve. Shezai Rrokaj ka deklaruar se është i ndërgjegjshëm se mund të ketë pasur parregullsi gjatë zhvillimit të konkurseve në shkollat e larta, por një përgjegjësi jo e vogël sipas tij kanë edhe vetë studentët, të cilët janë bërë viktima duke kërkuar të futen në tempullin e dijes me ryshfete.

Rektori Shezai Rrokaj:- “Universiteti nuk është prokurori, nuk është hetuesi. Ne përpiqemi të zbatojmë rregulloren, ne dëgjojmë majtas e djathtas siç dëgjon kushdo prej nesh për këto gjëra, jemi të hapur që t’i shkojmë deri në fund këtyre problemeve, por për këto duhen fakte dhe duhet të çlirohemi nga emocionet. Në qoftë se ka korrupsion, ne duhet të dimë që është e vërtetë, në shoqërinë tonë gjithandej dëgjohet është në dinjitetin e universitetit që të mbrojë atë pjesë të dinjitetit që është e pastër dhe të luftojë mund të vihet në diskutim, por me fakte”.

Ndërkohë që rektori Rrokaj, por edhe dekanët e fakulteteve të përfolura për zhvillim jo të rregullt të konkurseve i kanë kërkuar studentëve t’i drejtohen organit të akuzës, në qoftë se kanë fakte dhe emra konkrete. Në Prokurorinë e Tiranës deri tani nuk ka nisur asnjë lloj hetimi, pasi nuk ka pasur padi konkrete./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka