Propozimi socialistëve për rritjen e taksave vendore në bashkinë e Durrësit, ka hasur në kundërshtimin e këshilltarëve të djathtë të cilët refuzuan ndryshimet në paketën e re fiskale. Kjo bëri që këshilltarët e majtë të braktisnin mbledhjen, duke e quajtur pretendimin e palës kundërshtare të motivuar  politikisht.

Roland Agasi: “Një nga justifikimet e tyre ishte që bashkia e Durrësit nuk na e ka mbushur mendjen që ka ezauruar me performancën e saj, të gjithë evazionin fiskal dhe ka rritur gamën e tatimpaguesve. Politika e tyrë është e thjeshtë fare ta sabotojmë bashkinë e Durrësit në çdo moment që të mos mbledh të ardhura dhe të mos realizojë investime.”

Sipas këshilltarëve demokratë dhe atyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim, debati për rritjen e taksave lokale është i pajustifikuar dhe në dëm të qytetarëve.

Seit Kertusha: “Ka një koncept i cili është totalisht jo ekonomik. Çdo ndërhyrje që bën në paketë fiskale dëm për buxhetin e bashkisë për vitin 2010, është dëm për shërbimet që u jepen qytetarëve dhe bizneseve.”

Në mbledhjen e radhës këshilltarët e djathtë miratuan shpërndarjen e 48 banesave sociale për të pastrehët, ndërsa u shty për një kohë të dytë debati për rritjen e taksave./tvklan.al