Vështirësi në qarkullimin e makinave
Moti i keq me reshje ka përfshirë mëngjesin e së hënës gjithë vendin. Në shumë zona malore reshjet kanë qenë në formën e dëborës, duke krijuar probleme edhe në qarkullimin e automjeteve.
Dëbora ka mbuluar zonat malore te qarkut Shkodër, që nga Razma, Lëpusha, Kelmendi në Malësinë e Madhe. Situata më problematike në këtë qark paraqitet në aksin Bogë-Qafë Thore-Theth, i cili për shkak të trashësisë së dëborës është i pakalueshëm për automjetet e vogla.
Gjithashtu problem ka shkaktuar në rrjetin elektrik, duke sjellë mungesë të energjisë në disa zona.
Reshje dëbore ka patur edhe në juglindje. Më intensive reshjet kanë qenë në pikën turistike të Dardhës, ku trashësia e dëborës ka arritur në afro 20 centimetra.
Gjithsesi akset rrugorë drejt fshatrave turistikë si dhe akset nacionalë që lidhin Korçën me qytetet e tjera janë të hapur dhe qarkullohen normalisht.
Tv Klan