Një defekt në linjën e tensionit të lartë 110 kilovolt, në Lushnje, la 12 orë pa energji elektrike qytetin dhe zonat përreth.
Shkak i avarisë u bë këputja e telave të transmetimit, si pasojë e motit të keq dhe erës së fortë.
Mungesa e energjisë elektrike bëri që shërbimet publike të paralizohen, ndërsa spitali i qytetit pezulloi punën veç rasteve urgjente.
“Kam tre orë që kam marrë për të bërë analizë, s’ka drita. Thuhet që do vijnë, por nuk dihet se kur do vijnë. Në 12, a në 1, a pasdite, a s’vijnë hiç fare.”
“Asnjë gjë. Nuk ka korrent. Do presim.”
“Ç’rëndësi ka është, problemi është që nuk zgjidhet problemi. Mund të kenë edhe tre-katër orë që presim, edhe s’zgjidh asnjë gjë.”
Edhe pse një objekt i rëndësisë së veçantë, sistemi i furnizimit me energji të këtij spitali është i njëjtë me atë të abonentëve familjarë.
Gjeneratori ekzistues përdoret nga autoritetet spitalore vetëm për ndërhyrjet e domosdoshme kirurgjikale, ndërkaq, mungesa e energjisë elektrike u shtri gjatë paradites edhe në qytetin e Fierit dhe Durrësit.
Në dy portet më të mëdha të vendit, ato të Durrësit dhe Vlorës dallgëzimi i detit arriti në 6 ballë, duke krijuar vështirësi në ankorimin e trageteve.
Zonat veriore dhe ato juglindore kanë patur një ulje të ndjeshme të temperaturave të shoqëruara me ngrica dhe reshje dëbore, çka ka shkaktuar jo pak probleme në disa akse rrugore./tvklan.al
Gazetare: Anila Sefa