Rreth 70 mijë metra katrorë do të jetë hapësira ku do të shtrihet terminali i ri i pasagjerëve dhe trageteve në portin e Durrësit.
Punimet tashmë janë në një fazë të avancuar dhe në fund të tyre porti më i madh në vend do të ketë një kapacitet përpunues mbi 1 milionë pasagjerë në vit.
Eduard Ndreu: “Është një terminal, i cili në sipërfaqe të tij ofron gati trefishin e hapësirës që ka qenë më parë. Bëhet fjalë për një impiant modern, me një fjalë për një impiant të ndërtuar cilësisht mirë dhe për një impiant i cili padyshim do të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj pasagjerëve.”
Zona e ankorimit te trageteve do të rrethohet me konstruksion metalik. Për të rritur parametrat e sigurisë, projektit ekzistues i janë bërë disa ndryshime.
Eduard Ndreu: “Kemi pasur le të themi detyrimin për ndonjë projekt për të përmirësuar disa sisteme, të cilat ishin të paparashikuara, por jo vetëm kaq, por dhe për të garantuar në le të themi elementë të sigurisë, të cilat lindin nga detyrimet e kodeve ndërkombëtare. Ne parashikojmë rreth fundit të këtij viti pra që të përfundojë ky terminal. Natyrisht që punimet e tij janë zgjatur për një periudhë rreth gati 8 muaj në një vit”.
Projekti parashikon ndërtimin e mbikalimit për lëvizjen e udhëtarëve që vijnë nga stacioni hekurudhor i Durrësit, godinën e inspektimit doganor si dhe vendpërpunimin e mjeteve te transportit dhe mallrave.
Kompleksi do të ketë edhe shërbimet e nevojshme për udhëtarët si bare, restorante, ambiente pritjeje dhe akses interneti.
Investimi kap vlerën e 13 miliardë eurove dhe është financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore./tvklan.al