46 miliardë Lekë vlerësohet defiçiti tregtar në vendin tonë gjatë muajit Gusht, duke u rritur me 15,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 11 %, në krahasim me muajin Korrik të këtij viti.
Më konkretisht, INSTAT raporton se në Gusht eksportet e mallrave arritën vlerën 22 mld Lekë, duke u ulur me 18,2 %, në krahasim me Gushtin e vitit të shkuar dhe me 32,5 %, në krahasim me Korrik 2024.
Ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 69 mld Lekë, ose 1,9 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe 19,4 % me pak se në muajin Korrik.
Si tetëmujor, pra nga Janari në Gusht eksportet e mallrave kapën vlerën 255 mld Lekë, duke u ulur me 14,9 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 595 mld Lekë, duke u rritur me 3,2 %.
Deficiti tregtar në 8 muajt e parë të këtij vitit vlerësohet në 340 mld Lekë, duke u rritur me 22,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.
Në muajin Gusht 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2023 janë: Italia, Kosova dhe Greqia.
Ndërsa vendet me të cilat gjatë muajit Gusht, Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Italia, Kina dhe Turqia.
Gjatë periudhës Janar-Gusht të këtij viti, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia, Kosova dhe Greqia.
Tv Klan