Menjëherë pas Deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me grabitjen e 3.2 mln dollarëve ditën e enjte në rrugën e Rinasit, ka reaguar edhe Partia Demokratike.

“Edi Rama zbuloi sot se autoret e grabitjes me armë, në mes të ditës, pranë Rinasit, qenkan disa, opozita, media, qytetaret dhe çdo mendje kritike në vend,” tha Arben Ristani,  Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.

“Ndërkohë, ai vetë, ai që veshi kriminelet me uniforme policie, që mban ministër njeriun më të lidhur me krimin në tërë sojin e tij, s’paska asnjë përgjegjësi për grabitjet, drogën, tritolin, vrasjet, krimin qe ka gjunjëzuar shtetin.”

Ristani tha se ky është karvani i zullumit qe vetëm leh.

“Ne do ta ndalim,” tha ai: “Me 18 shkurt ngrihemi bashkë.”

Më herët të dielën,  Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat ndaj policisë në grabitjen e 3.2 milionë dollarëve në rrugën e Rinasit. Në komunikimin javor, Rama bëri përgjegjëse bankat dhe kompanitë e sigurisë që sipas tij nuk kanë plotësuar asnjë standard për transportimin e parave.

Sipas Ramës gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike ky fenomen arriti shifra rekord./tvklan.al