Gjashtë persona janë arrestuar gjatë një aksioni të Policisë së Tiranës të koduar “Zall Bastari” për goditjen e kultivimit të kanabisit. Në mesin e të arrestuarve është edhe një punonjës policie, i cili dekonspironte aksionet e kolegëve të tij.

Të arrestuarit janë punonjësi i policisë me detyrë inspektor zone, E.D., i akuzuar për shpërdorim detyre dhe kultivim i bimëve narkotike të kryer në bashkëpunim, si dhe Q.Xh., I.B. dhe  B.M., të dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Ndaj këtyre të katërve është vendosur masa e sigurisë arrest në burg. Ndërsa gjatë finalizimit të aksionit, u kapën në flagrancë dy persona të tjerë të dushuar për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike.

Tre persona të tjerë, me iniciale S.H., D.H dhe G.H., janë shpallur në kërkim për kultivim kanabisi të kryer në bashkëpunim. Ndërsa është proceduar penalisht dhe po hetohet në gjendje të lirë një tjetër person, H.M., pasi ka ndihmuar për t’u larguar njëri prej të kërkuarve gjatë kohës që po kërkohej nga policia.

Nga hetimet e SHÇBA dhe të Policisë së Tiranës ka rezultuar se të gjithë këta persona dyshohet të kenë kultivuar bimë narkotike kanabis sativa në fshatin Mner i Sipërm në Zall Bastar të Tiranës. Disa prej këtyre bimëve janë asgjësuar në periudha të ndryshme nga forcat e Komisariatit Nr.4 të Policisë së Tiranës. Ndërsa polici i arrestuar, E.D., ka dekonspiruar këto aksione duke ndihmuar kultivuesit që të largoheshin dhe të mos arrestoheshin.

Policia e Tiranës dhe SHÇBA po vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. /tvklan.al