Vasili e ka sjellë djalin e tij të vogël, Irakliun në “Shihemi në Gjyq” për t’i kërkuar llogari mbi një letër nga banka që ka mbërritur në shtëpinë e tij. Irakliu tregoi në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se prej 4 vitesh është ndarë nga ish-gruaja me të cilën ka 3 fëmijë. Ai tha se një ditë ajo u largua për në shtëpinë e prindërve dhe ish-vjehrri e njoftoi se kishte ardhur me një burrë tjetër.

Ndërmjetësja Eni Çobani shpjegon se në shtator të vitit 2021 çifti i është drejtuar gjykatës dhe një vit më vonë, është finalizuar divorci. Gjykata ia ka caktuar Irakliut kujdestarinë e 3 vajzave sepse siç sqaron ai, ishte dëshirë e nënës për shkak të pamundësive ekonomike.

Por disa muaj pas divorcit, rezulton se Irakliu ka firmosur një deklaratë ku rezulton dorëzan për një kredi. Kjo kredi është marrë nga ish-gruaja dhe një burrë tjetër që Irakliu thotë se nuk e njeh dhe nuk e kujton si ka ndodhur.

Eni Çobani: Më 16.03.2023 ky zotëri këtu ka vajtur në një degë të një banke dhe ka bërë një deklaratë dorëzanie.

Ardit Gjebrea: Ç’domethënë?

Eni Çobani: Ka vajtur dhee thotë unë dorëzanësi, garantoj bankën, dega, sigurisht unë nuk po i them për të gjitha detyrimet e huamarrësit Valdrin Sulanaku.

Ardit Gjebrea: Kush është?

Irakli: S’e njoh.

Eni Çobani: Po si s’e njeh?

Ardit Gjebrea: Po ti ke firmosur.

Eni Çobani: Në lidhje me huanë që ai ka marrë në përputhje me kontratën e huasë me numër përkatës në datën 17.03.2023. Njëkohësisht, huanë që ky zotëri ka marrë detyroheni që në mospërmbushje të këtij detyrimi, ta përmbushni ju.

Ardit Gjebrea: Kush, Irakliu? Të këtij personit që Irakliu thotë nuk e njoh?

Eni Çobani: Këtu ka emër, mbiemër, ka firmën e tij, ka dhe kartën e identitetit.

Ardit Gjebrea: Po si nuk e njeh?

Irakli: Nuk e njoh.

Ardit Gjebrea: Po e ke firmosur ti?

Irakli: Po s’më kujtohet mua.

Ardit Gjebrea: S’të kujtohet?

Irakli: S’më kujtohet kjo pjesë.

Ardit Gjebrea: Po z. Vasil ku hyn në këtë mes?

Eni Çobani: Sepse zotëria jeton te Vasili, nuk ka as shtëpi, as katandi,  ka vetëm një të ardhur mujore 500 mijë lekë të vjetra. Jeton me 3 fëmijët e tij minorenë, me prindërit moshatarë dhe çfarë ndodh? Më 09.01.2025 me të drejtë vjen njoftimi për likuidimin e dertyrimit të kredisë sepse nuk është paguar asnjë këst dhe shuma sot, ka vajtur zotëri 23 mijë e 964.28 euro dhe çdo ditë që ju s’paguani kamatëvonesa rritet.

Çobani tregon se kur letra ka mbërritur në shtëpinë e tij, Vasili është paraqitur menjëherë në zyrën e saj duke i kërkuar një shpjegim. Ajo i ka sqaruar situatën ku gjendet dhe e ka vënë në dijeni se në rast se kjo kredi nuk shlyhet, do t’i marrin shtëpinë. Irakliu thotë se s’i ka marrë ai 22 mijë euro kredi, por ish-bashkëshortja me bashkëjetuesin e saj.

Irakli: Ish-bashkëshortja ime është aty në emër, bashkë me atë emrin tjetër që përmend, nuk e di.

Ardit Gjebrea: Ç’lidhje ka ish-bashkëshortja me atë emrin tjetër?

Irakli: Ku di gjë unë, mbase e ka bashkëjetues a ku di unë çfarë e ka.

Vasil: Nuk e pranoj unë se është ndarë, ka 4 vjet, nuk dua ta zë në gojë!

Eni Çobani: Nuk do ta zësh në gojë, por ka marrë kredinë ajo që s’do ta zësh në gojë ti! Pra ky është bashkëjetuesi i ish-bashkëshortes. Pra ky ka marrë dhe është bërë dorëzanës i një kredie të bashkëjetuesit të ish-gruas!

Situata e çuditshme ka shokuar gjithë studion, teksa Irakliu thotë se ende nuk e kupton as si e ka firmosur dhe as si ka shkuar në bankë.

Ardit Gjebrea: Si e firmose ti këtë?

Irakli: S’e kujtoj fare këtë sesi e kam firmosur, nuk e di çfarë gjendjeje kam qenë.

Ardit Gjebrea: A ke qenë i divorcuar?

Irakli: Kam qenë i divorcuar…

Ardit Gjebrea: Okej, nuk e ke kuptuar si ke firmosur. Për cilin motiv një burrë i divorcuar shkon me gruan në bankë? Pse shkove?

Irakli: As vetë nuk po e kuptoj./tvklan.al