Qeveria ka shtyrë deri më datë 31 Maj 2025 afatin për subjektet private që duan të aplikojnë për të lidhur kontratën e qirasë për të ushtruar veprimtarinë e tyre në stacionet e plazhit.
Të drejtën për të përdorur hapësirën e plazhit e kanë subjektet private që janë të kategorizuara si: “Bujtinë, Fjetinë, Hostel, Hotel, Resort, Qendër kurative, Fjetje dhe mëngjes, Apartament/vilë”, që kanë jo më pak se 5 dhoma dhe “Bllok apartamentesh”, që janë dy ose më shumë apartamente në të njëjtën vendndodhje dhe menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik, që kanë jo më pak se 5 dhoma.
Në vendimin e qeverisë thuhet se faza e dytë e aplikimit të subjektit, për stacion plazhi do të jetë brenda datës 30 Prill.
Faza e parë është ajo e aplikimit dhe dorëzimit të dokumentacionit, ndërsa në të dytën saktësohet aplikimi, gjenerohet mandati i pagesës dhe caktohet plan-vendosja përkatëse të stacionit të plazhit.
Të gjitha subjektet e interesuara mund të kryejnë aplikimin e tyre në portalin e-Albania duke kërkuar shërbimin “Aplikim për ushtrimin e veprimtarisë së stacion plazhi”.
Klan News