Nicolas Cage është liruar nga akuzat e bëra nga ish-e dashura e tij me pretendimin se është sulmuar nga djali i tyre.
Muajin e shkuar, Christina Fulton paditi djalin, Weston Cage për sulm dhe ish-partnerin për neglizhencë duke thënë se ai nuk e kishte parandaluar sjelljen e 34-vjeçcarit.
Në momentin që Fulton ngriti padinë, avokatët e Cage i quajtën akuzat ”absurde” dhe thanë: “Cage nuk kontrollon në ndonjë mënyrë sjelljen e Weston dhe nuk është përgjegjës për sulmin e pretenduar të tij kundrejt nënës”.

Vetë avokati i 34-vjeçarit deklaroi se padia s’përbënte habi duke parë historinë e kaluar të Fulton dhe përplasjes së saj me familjarët, çka duket si “asgjë tjetër veçse diçka për të zhvatur para dhe marrë vëmendje”.
Ndërkohë çështja e Fulton kundrejt të birit vazhdon. Ajo e akuzon për sulm “të tërbuar” të paprecedentë në prill të vitit 2024 që i shkaktoi goditje në kokë, lëndime në qafë e fyt, trauma dentare e abdominale dhe çrregullim të stresit post-traumatik.
57-vjeçarja ka akuzuar Nicolas Cage se ka qenë në dijeni për “historinë e gjatë të çrregullimit mendor dhe psikologjik” të djalit të tyre dhe akteve të mëparshme të “sulmeve të dhunshme”, por e ka lejuar këtë sjellje përmes mbështetjes financiare./tvklan.al