Sulmuesi Bernard Berisha, ka pësuar një dëmtim të rëndë në Rusi, aty ku është pjesë e skuadrës së Akhmat Grozny.

Futbollisti i Kosovës, nëpërmjet një postimi në profilin e tij, shkruan se do të mungojë për rreth gjashtë muaj dhe do i nënshtrohet një operacioni.

Bëhet fjalë për një dëmtim në Tendinën e Akilit, ndërsa vetë 32-vjeçari e cilëson këtë si momentin më të vështirë në karrierë.

“Të dashur fansa, miq dhe familjarë. Sot është një nga momentet më të vështira të karrierës sime.

Fatkeqësisht, në ndeshjen e fundit pësova një dëmtim të rëndë. Do të më duhet të bëj një operacion sa më shpejt dhe të qëndroj larg futbollit për 6 muaj.

Gjithçka është në dorën e Zotit. Do të rikthehem edhe më i fortë në fushë.”, shkruan Berisha.

Sulmuesi i Kosovës, parashikohet të rikthehet në fushat e lojës në muajin mars të vitit të ardhshëm, nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve. /tvklan.al