Lajm i keq për Milanin dhe për trajnerin Paulo Fonseca. Alvaro Morata do të mungojë në sfidën e së shtunës kundër Parmës në transfertë.
Sulmuesi spanjoll, i cili shënoi në debutimin e tij për kuqezinjtë në ‘San Siro’ kundër Torinos, ka pësuar një dëmtim muskulor e ka nevojë për disa kohë që të rekuperohet, raporton sportmediaset.
Morata, i cili u aktivizua edhe pse nuk ishte në formën e tij më të mirë, rrezikon gjithashtu të humbasë ndeshjen e 31 Gushtit në Romë kundër Lacios.
Por gjendjen e tij me vëmendje po e ndjekin edhe në kombëtaren spanjolle, me “Furinë e kuqe” që do të luajë më 5 e 8 Shtator në Ligën e Kombeve.
Pas ndërprerjes, kampionati do të rinisë për “Djallin” më 15 Shtator kundër Venecias.
Por prania e sulmuesit në fushë është e domosdoshme për përballjen e Ligës së Kampioneve dy ditë më pas.
Për më tepër që më 22 Shtator do të luhet “Derbi i Madoninës” kundër Interit, e kuqezinjtë duhet që të jenë në formën e tyre më të mirë e pa mungesa.
Klan News