Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka rrëzuar kërkesën për ndryshim mase sigurimi ndaj të miturit që vrau bashkëmoshatarin e tij rreth 3 muaj më parë. Për rrjedhojë, qëndron në fuqi vendimi i marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për “arrest me burg” për 14 vjeçarin.

“Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me “Informacionin dy mujor për të miturin në konflikt me ligjin, ne lidhje me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në burg” , ku përfaqësuesi ligjor i të miturit në konflikt me ligjin kërkoi “zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në rrethana cilësuese”, të parashikuar nga neni 79 shkronja “a” të Kodit Penal.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin të datës 23.01.2025, ka vendosur: Rrëzimin e kërkesës së të miturit në konflikt me ligjin, me objekt zëvendësim mase sigurimi personal. Vijueshmërinë e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj të miturit në konflikt me ligjin. Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga i mituri i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit  të Përgjithshëm Tiranë, zëvendësimin e masës së sigurimit  nga “arrest në burg” në atë të “arrest në shtëpi”. Në përfundim të gjykimit, sot më datë 10.02.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Mihali, vendosi: Miratimin e vendimit, datë 23.01.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, njofton Gjykata.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 18 Nëntor 2024, pranë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në kryeqytet. 14 vjeçari Martin Cani u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshi.

/tvklan.al