Një ditë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Socialistëve, deputeti Andis Harasani ka ripërsëritur qëndrimin e grupimit të njohur si oponentët e kryetarit, për të qenë në parlament brenda afateve kushtetuese që nuk rrezikojnë që mandatet e fituara në 28 qershor të bëhen të pavlefshme.
I pyetur mbi mundësinë e një çregjistrimi nga partia në rastin e shkeljes së vendimit politik për të thyer bojkotin parlamentar, Harasani shprehet i bindur se kryetari Rama nuk do të mund ta ndërmarrë një veprim të tillë.
Andis Harasani: “Nuk mund të ketë çregjistrim nga partia sepse ne po respektojmë ligjet e shtetit shqiptar dhe kushtetutën e shtetit shqiptar. Statuti nuk thotë në asnjë pikë dhe në asnjë moment çregjistrim të deputetëve që shkojnë në parlament. Në qoftë se ju gjeni këtë pikë në statut besoj se i referoheni ndonjë statuti të ndonjë partie tjetër jo të PS-së.”
Deputeti socialist i qarkut të Tiranës u shpreh optimist se përpara datës 7 mars, në sallën e parlamentit nuk do të bëjnë betimin vetëm 5 deputetët e njohur si lëvizja për mendimin ndryshe brenda partisë, por dhe të mandatuar të tjerë nga elektorati socialist në 28 qershor.
Andis Harasani: “Nuk do jemi pjesë e kësaj seance, ne vazhdojmë të jemi konsekuent në qëndrimin tonë, në do hyjmë në parlament në një kufi logjik. Jam shumë optimist me atë çka pashë në mbledhjen e fundit në mbledhjen e asamblesë. U pa qartë që shumica e grupit parlamentar domethënë gjithë grupi parlamentar ndan të njëjtin opinion me ne që duhet të hyjmë në parlament, duhet të hyjmë në parlament sa më shpejt.”
Deputetët e grupuar në “Lëvizjen për Mendimin Ndryshe” e bënë të qartë edhe në mbledhjen e asamblesë kombëtare të PS-së, të dielën, se nuk do ta djegin mandatin e fituar me votat e zgjedhësve socialistë./tvklan.al
Gazetare: Elia Zotka