Lobi i deputetëtve për ndërtimin e “Korridorit 8” ka kërkuar me forcë që në Shqipëri të krijohet një sekretariat ose një departament i “Korridorit 8” pranë Ministrisë së Transporteve. Krijimi i një zyre të tillë do të jepte një përgjigje të qartë se cila është gjurma e “Korridorit 8” në Shqipëri e të ndërmarrë nisma për studime fizibiliteti, të sinkronizojë përpjekje për financime nga brenda dhe jashtë vendit. Deputeti Zogaj u shpreh se “Korridori 8” nuk është projekt i varur në gozhdën e Bashkimit Evropian, por më i gjerë që në mjaft aspekte të veta duhet të financohet nga burime private vendase ose të huaja.

Preç Zogaj: “Nisma, propozime intelektuale të ekspertëve, të grupeve, të individëve, të grupeve të interesit, sipërmarrjes private, pa të cilët nuk mund të imagjinohet ndërtimi i “Korridorit 8”.”

Nënkryetari i lobit të deputetëve Gaqo Apostoli kërkoi që Ministria e Transporteve të bëjë projekte që sjellin financim përndryshe, sipas Apostolit, ideja e “Korridorit 8” do të mbetet në mjegullnajë.

Gaqo Apostoli: “Dollarët është kollaj t’i përcaktosh në studimet e parafizibilitetit, por duhen projekte dhe studime akoma më fizibël, më të besueshme dhe deri në projektet e detajuara. Në këtë drejtim d.m.th. Shqipëria është mjaft mbrapa.”

Diskutime të tilla u bënë gjatë promovimit të librit “Shqipëria, një urë tranziti” i prezantuar në formë simpoziumi. Libri është shkruar nga tre autorë, Xhevahir Ngjeqari, Ermal Përmeti dhe Ruzhdi Baxhaku. /tvklan.al