Lajme Arkiva 2003
Deputetët socialist nuk votuan kandidaturat e Ermelinda Meksit si zëvendës kryeministre dhe ministre të integrimit dhe të Marko Bellos si ministër i Jashtëm dhe i dhanë vetëm mandatin politik kryeministrit Fatos Nano për të plotësuar vendet e dy anëtarëve të larguar të kabinetit Ilir Meta dhe Sokol Nako. Nano do t’ja paraqesë kandidaturat presidentit Alfred Moisiu por më pas ato duhet të kalojnë në grupin parlamentar për votim. Ky kompromis është propozuar nga kreu i deputetëve socialist Gramoz Ruçi, i cili në fund të mbledhjes tha se Nano ka tashmë mandatin e grupit.
Gramoz Ruçi: Si kryesia e partisë ashtu edhe grupi parlamentarë, mbas këshillimeve dhe shkëmbimit të informacioneve reciproke konverguan, duke i dhënë mandatin politik kryeministrit që ai të përmbushë mandatin e tij institucional.
Kryeministri Nano u shpreh se gjeti mbështetjen e nevojshme dhe se kabineti i tij po përmbush detyrimet që ka.
Fato Nano: Gjeta mirëkuptimin e duhur, gjeta mbështetjen e nevojshme që kjo çështje të kapërcehet pa humbur kohë dhe që jo vetëm qeveria të vazhdojë punën me ritmin e duhur por edhe Partia socialiste të vazhdojë të përmbushë mirë detyrën elektorale të stinës ku jemi. Qeveria është në ritmin e punës së programit, është e vlerësuar nga aktorët dhe faktorët jo qeveritar me të cilët punon për përmbushjen detyrimeve qeverisëse, detyra për të cilën komunikojmë pas dy mbledhjeve politike dhe përfaqësuese të kryesisë dhe të grupit është zëvendësimi i dy të larguarve dhe asgjë tjetër.
Deputetët Petro Koçi, Ilir Zela, Bashkim Fino, Sabit Brokaj, Mustafa Muçi, Gjergj Koja, Eduard Alushi, Anastas Angjeli, Ndre Legisi dhe shuam të tjerë që nuk folën, përfshi ish kryetarin e Kuvendit Namik Dokle kanë kërkuar rikompozimin e qeverisjes. Zela kërkoi riformatim të mendimit politik brenda partisë dhe me aleatët dhe jo thjesht ndryshime numrash apo emrash në qeveri./tvklan.al