Deputeti opozitar Halit Valteri ka folur ashpër në parlament për deputetët që sipas tij tallen me pandeminë e koronavirusit. Pas fjalës së kolegut të tij Ralf Gjoni, i cili tha se vende si Franca e SHBA-ja nuk do të marrin vaksina nga programi Covax, Valteri u shpreh se askush nuk duhet të dezinformojë opinionin publik.

“Mjekët kanë nevojë për mbështetjen tonë dhe ju lutem, mos hani kot atë që nuk thuhet”, tha Valteri ndër të tjera.

“Po dëgjojmë nga kjo foltore shumë njerëz që po tallen me këtë flamë, kur ne kemi humbur familjarë, të afërm , miq dhe sot e kësaj dite në Sanatorium dhe në spitale vuajnë pacientët. Zonja ministre faleminderit të madhe për gjithçka që bëni dhe faleminderit gjithë mjekët. Faleminderit që po rrezikoni jetët tuaj për të dalë në mbrojtje të jetëve tona. Nuk ka vend ky parlament për të dezinformuar opinionin publik. Ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë dhe të mos bëjmë politikë me jetën. Askush nuk ka fytyrë, të vijë të flasë dhe t’u thotë shqiptarëve që kjo sëmundje nuk po na rrezikon, jo s’ka Covid, jo ka Covid. Mblidhni mendjen e kokës sepse shqiptarët sot kanë nevojë për mbështetje. Ministria, spitalet, mjekët, kanë nevojë për mbështetjen tonë dhe ju lutem, mos hani kot atë që nuk thuhet, faleminderit”, tha Valteri./tvklan.al