Pa ndonjë rezultat ka përfunduar takimi i së enjtes i dialogut Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e BE-së.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se Kosova është ajo që është duke humbur qoftë në aspektin ekonomik, politik dhe në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
“Duhet të kuptohet e vërteta që ky dialogu është shndërruar në një dialog maratonik pra rezultatet të pritura, në këtë drejtim Kosova është duke humbur çdo ditë e më shumë qoftë në aspektin ekonomik, politik por edhe në perspektiven evropiane përmes një përmirësimi të imazhit të saj”.
Ai ka thënë se në aspektin kohor Kosovës do t’i kushtojë, madje shtoi se këtë situatë Serbia do të faktorizohet.
“Sa më tepër të prolongohet ky dialog do të faktorizohet Serbia dhe do të fuqizohet. Është vërtetë një dimension kohor një kosto që do t’i kushtojë Kosovës”.
Çmimin më të lartë sipas tij do ta paguajë Kosova, e cila sipas tij, është dëmtuar në aspektin ekonomik dhe politik.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimi e Petar Petkoviç kanë përfunduar edhe një rund të ri të bisedimeve pa sukses. Faktori ndërkombëtar po insiston që të dyja palët të nisin zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Tv Klan