Pa ndonjë rezultat ka përfunduar edhe kësaj radhe takimi ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kryenegociatori Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin trepalësh nuk ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve me Serbinë.
Besnik Bislimi, Kryenegociator i Kosovës: Nuk ka rezultate rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia po insiston edhe në implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka, ju bëni diçka’. Mendoj se është dështimi i madh i këtij raundi”.
Ka kërkuar nga Serbia të tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiç, me të cilën kishte dalë kundër marrëveshjes.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha pas takimit se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Petar Petkoviç, Kryenegociator i Serbisë: Thelbi i asaj Marrëveshjeje nga Ohri është, para së gjithash, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa të nuk mund të ecim përpara.
Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Bislimi ka thënë se Kosova nuk u ikë obligimeve, por insiston në zbatimin e plotë të marrëveshjes.
Tv Klan