Ish-futbollisti i Interit dhe i Romës, Radja Nainggolan është arrestuar si pjesë e një hetimi ndaj një grupi që merret me trafikun e kokainës.

Mediat shkruajnë se të paktën 30 shtëpi u kontrolluan në zonën e Antverpit dhe Brukselit si pjesë e një rrjeti që merret me trafikun e drogës nga Amerika e Jugut në portin e Antverpit. Mes të ndaluarve në polici është edhe ish-mesfushori i Belgjikës.

“Konfirmojmë se futbollisti RN [Radja Nainggolan] është privuar nga liria në lidhje me këtë rast. Duke qenë se po vijon hetimi dhe në pajtueshmëri me parimin e prezumimit të pafajësisë nuk mund të japim asnjë koment tjetër për zhvillimet deri në këtë fazë”, tha Zyra e Prokurorit Publik në Bruksel.

The Sun thekson se futbollistit i është tërhequr vetura e tij Smart Brabus gjatë bastisjes së shtëpisë në Antverp të hënën.

Edhe klubi i tij i ri, një skuadër e kategorisë së dytë në Belgjikë, Lokeren-Temse, pranuan se ditën e sotme ylli i tyre nuk është paraqitur në stërvitje.

Radja Nainngolan njihet për stilin e tij të jetës kontrovers. Ai shpesh ka pranuar përpjekjet për t’iu larguar alkoolit dhe duhanit.

Në vitin 2017, atij iu pezullua patenta për shkak se u kap katër herë duke drejtuar makinën nën efektin e alkoolit.

Madje ai bëri xhiron e rrjetit kur doli live në Instagram duke pirë alkool, duhan e duke sharë./tvklan.al