Bashkimi Evropian nuk ka arritur që të zhvillojë takim trilateral me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç. Ata kanë zhvilluar dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh.
Kryenegociatori Bislimi tha se një takim trepalësh dështoi pasi sipas tij Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.
“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi.
E në takimin dypalësh me Lajçakun, Bislimi tha se temë kryesore ishte zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër. Sa i përket urës mbi lumin Ibër, Bislimi citohet të ketë thënë se edhe për BE-në “është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës”.
E pala serbe fajin e hedh të pala kosovare për refuzim të një takimi trepalësh.
“Çfarë normalizimi është ky, nëse ju nuk dëshironi të flisni për çështjen kyçe siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Një çështje kyçe është gjithashtu edhe se si po jetojnë serbët në Kosovë”, u shpreh Petkoviç.
Bislimi dhe Petkoviç për herë të fundit u takuan në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.
Tv Klan