Presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, të bëjë çmos për arritjen e një armëpushimi me Hamasin. Kërkesën ia bëri përmes një telefonate urgjente, vetëm pak orë pas dështimit të përpjekjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken për të nxitur palët të bien në një marrëveshje që frenon të paktën për momentin luftën në Rripin e Gazës.
Kreu i diplomacisë amerikane ishte në Tel Aviv në fillim të kësaj jave, ku tha se Izraeli kishte pranuar propozimin amerikan për armëpushim dhe se fjala e fundit i takonte Hamasit.
Megjithatë, pavarësisht optimizmit të Blinkenit, ndasitë mes palëve kanë qenë thelbësore. Hamasi nuk ka hequr dorë në asnjë moment nga kushti që për arritjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve të mbetur, ushtria izraelite duhet të tërhiqet plotësisht nga Rripi i Gazës.
Qeveria e Netanjahut e kundërshton këtë kusht, duke thënë se nuk e tërheq ushtrinë pa arritur obektivin për spastrimin e plotë të Hamasit nga ky territor.
Uashingtoni propozoi një zgjidhje të ndërmjetme që Izraeli të kontrollojë kufirin mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit, por që u kundërshtua si nga Hamas ashtu edhe nga negociatori tjetër, Kajro.
Uashingtoni kritikoi Netanjahun se në negociata është treguar tepër maksimalist me kërkesa. Shpresat janë që fundjavën e ardhshme të zhvillohet një tjetër raund negociatash të suksesshme.
Tv Klan