Monika Kryemadhi do të hetohet nga SPAK në masën detyrim paraqitje. Ajo është pjesë e dosjes që u arrestua dhe ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta ndaj të cilit renditen akuzat: Korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Pas njohjes me vendimin dhe njoftimin zyrtar të SPAK, Kryemadhi reagoi në rrjetin social Facebook. Deputetja e Partisë së Lirisë akuzon Prokurorinë e Posaçme për mungesë profesionalizmi dhe shkelje të detyrimit ligjor në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor.

“Në këtë deklaratë, ndër të tjera bëhet me dije nga Prokuroria e Posaçme se kjo çështje është ende nën hetim, ndërkohë që prokuroria vetë ofron për publikun si ushqim të dhëna të pavërteta për mua dhe familjen time, për të cilat, unë gjatë hetimit kam arritur të vërtetoj të kundërtën nëpërmjet provave shkresore dhe aktit të ekspertimit kontabël të çertifikuar, që kam depozituar pranë SPAK prej kohësh.”

Sipas Kryemadhit në 167 faqe vendim të caktimit te masës së sigurimit personal, nuk pasqyrohet asnjë e dhënë lidhur me provat qe ajo ka paraqitur ku rrëzohen aludimet nga ana e SPAK.

“Ju ligjërisht më keni komunikuar faktin se ndaj meje në cilësinë e personit nën hetim të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale është caktuar një masë sigure, ndërkohë që edhe pse kam ende cilësinë e personit nën hetim, ju, xhelatët e bindur të Edi Ramës politikisht shpreheni se unë dhe familja ime akuzohemi, ndërkohë që këtë gjë në fazë të hetimit, nuk mund ta bëni as ligjërisht, as publikisht. Deklarata e SPAK duket e shkruar në zyrën e Propagandës të Edi Ramës.”

Në fund Kryemadhi pasi i cilëson akuzat e rreme dhe të pabaza shprehet se ato do të marrin përgjigjen e merituar në çdo shkallë të gjyqësorit brenda dhe jashtë vendit.

Përveç Metës dhe Kryemadhit akuza janë ngritur edhe ndaj Pirro Xhixhos, babai i deputetes Erisa Xhixho. Ndaj tij gjykata ka caktuar masën arrest në shtëpi. Një tjetër e proceduar është edhe Ema Çoku, që do të hetohet nën masën detyrim paraqitje.

Klan News