Dhoma e Deputetëve në Parlamentin italian ka miratuar marrëveshjen ndërmjet Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë për sigurimet shoqërore, të bërë në Romë më 6 shkurt 2024. Marrëveshja rregullon pensionet dhe përfitimet e papunësisë, sëmundjes dhe lehonisë për ata që janë ose kanë qenë të punësuar ose të vetëpunësuar në të dy shtetet.

Më konkretisht marrëveshja në fjalë parashikon që shtetasit shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në Itali, si dhe italianët që punojnë e derdhin kontribute në Shqipëri do t’u njihen vitet e punës për efekt pensioni dhe përfitimesh të tjera sociale.

Kjo është hallka e parafundit para se marrëveshja e nënshkruara mes dy qeverive të hyjë në fuqi, pasi më parë duhet të miratohet edhe nga Senati.

Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje 500 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë në Itali dhe rreth 4 mijë italianë me leje qëndrimi në vendin tonë do të përfitojnë nga skema e pensioneve, duke mos humbur asnjë ditë kontribut, pavarësisht vendit ku kanë punuar. Çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ai ndodhet.

Tv Klan