Në përfundim të mandatit të tij emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po vazhdon përpjekjet për të quaj përpara dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka bërë të ditur se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Lajçak ka treguar se ditët e para të këtij viti i priti me mision në Shtetet e Bashkuara, ku është njoftuar me zyrtarë të lartë të shtetit, me të cilët ka diskutuar për nevojën për avancim në dialog.
“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington u angazhova në diskutime të hollësishme me Ndihmës Sekretarin O’Brien dhe Zv/ndihmës Sekretarin për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. U fokusuam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”.
Në takimin trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, më 17 dhjetor palët janë pajtuar për zbatim të marrëveshjes për të zhdukurit. Pritet formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Pala kosovare e kishte konsideruar një moment të rëndësishëm në adresimin e çështjes së të zhdukurve.
Tv Klan