Dy vetura zyrtare të Komunës së Zveçanit janë djegur në orët e para të së premtes. Policia ka thënë se dyshohet për zjarrvënie, ndërsa po punon për zbardhjen e rastit.
Kryetari i komunës, Ilir Peçi, ka dënuar rastin. Ai ka thënë se shpreson që autorët përgjegjës do të dalin së shpejti para drejtësisë, ndërsa thotë se ndihet i kërcënuar.
PDK-ja e ka dënuar ashpër djegien e dy veturave ka bërë thirrje që kryetarit Ilir Peçi t’i ofrohet mbrojtja nga shteti.
“Rritja e interesimit të qytetarëve serbë që jetojnë në Komunën e Zveçanit për të drejtuar dhe shprehur nevojat e tyre ndaj komunës, si duket po i pengon grupet kriminale. Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga organet e rendit t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Zveçanit”.
Zveçani është një nga katër komunat në veri të Kosovë, që janë të banuara me shumicë serbe. Në këtë komunë sikurse edhe në tri komunat tjera në veri edhe në të kaluarën ka pasur djegie të veturave dhe dëmtim të pronës.
Tv Klan